Dibra dhe dibranët njihen për zemërgjërësinë dhe bujarin, mikëpritjen, dashurinë ndaj njëri tjetrit, kujdesin ndaj njëri tjeterit. Duke shikuar se si varfëria kjo plagë e rëndë e një shoqërie zgjerohej cdo ditë e më shumë, duke parë nevojën për daljen në ndihmë të kësaj kategorie njerëzish lindi ideja për krijimin e një shoqate humanitare.

Shoqata Humanitare “Drita” me aktivitetet e saja përvec që ishte fokusuar në aksione të ndryshme humanitare kjo shoqatë poashtu ndihmonte në edukimin e rinisë, në organizimin e programeve kulturore-artistike, përkrahjen e të rinjve në iniciativa të ndryshme gjë që e bëri këtë shoqatë si një institucon ndihmës për të gjithë dibranët.

Kjo shoqatë gjatë gjithë aktivitetit të saj si në të kaluarën dhe në të tashmen ka qenë e gatshme për bashkëpunim dhe përkrahje të cdo organizimi që është bërë për të mirën e qytetit dhe qytetarve dibran.

Shoqata “Drita” aktivitetin e saj e nisin në vitin 1999 si një dritë shprese për të varfërit dhe sidomos në kohën e dëbimit të vëllezërve dhe motrave kosovarë nga trojet e tyre.

Për një kohë të shkurtër kjo shoqatë arriti që të ketë mbi 140 anëtarë të cilët ishin të palodhshëm në punën e tyre. Kjo shoqatë u krijua nga një grup entuzjastesh të rinj dibran në krye me Ramiz Dukën i cili ishte ideatori i krijimit të kësaj shoqate.

Në fillim kjo Shoqatë me angazhimin e kryetarit u përkrah nga SH.H. “ICNA” RELIEF me seli në SHBA e cila ndihmoi për kompletimin e zyrave të kësaj shoqate, paisjen e tyre me kompjutera dhe u blenë një sasi librash të cilat mundësuan hapjen e një bibloteke me tematikë shkencore,letrare dhe fetare e cila mungonte për një kohë të gjatë në qytetin e Dibrës. Kështu që më 09/02/1999 u bë hapja zyrtare me dokumentacion të kompletuar të kësaj shoqate.

Si fillim filloi të praktikohej edhe një lloj gare se kush do lexonte më shumë libra nga kjo biblotekë do shpërblehej, duke mundësuar kështu përhapjen dhe nxitjen e rinisë për te lexuar me shume mbi shkencen, historine, letersin, dhe fenë tonë të pastër islame.

Një rol teje të rëndësishëm kjo shoqatë luajti në grumbullimin e ndihmave për vëllezërit tanë kosovar. Për këtë shoqatë ishte një sfidë e re pasi ishte ende fillimi i saj por falë organizatorëve dhe grupit të aktivistëve plot entuzijazëm kjo shoqatë arriti që këtë fazë ta kalojë me një punë të palodhshme dhe me një rezultat të shkëlqyer. Në të njejtën kohë kjo shoqatë posedonte edhe Forumin e grave dhe vajzave që kontribuan në një mënyrë të shkëqlyer gjatë kësaj periudhe.

Të gjithë si sot na kujtohen pamjet tronditëse që shikonim se si kalonin vëllezërit, motrat tona kufirin Maqedono –Kosovar. Në qytetin e Dibrës si pikë strehimi ishte çerdhja “Breshia” dhe në atë kohë edhe pse kishim vështirësitë financiare arritëm që tju ofrojmë nga një racion ushqim të gjithë personave të pranishëm, pastaj me këtë aktivitet vazhduam edhe në fshatin Banjisht ku ishin të strehuar rreth 200 persona.

Pastaj me arritjen e ndihmave nga SHBA (Sh.h. ICNA RELIEF, Albanian Islamic Cultural Center) dhe bashkëatdhetarët tanë atje, kjo shoqatë u bë si një ndër furnizuesit kryesor me ushqime, veshmbathje, mjete mësimore si dhe me shumë sende të tjera duke arritur që të sigurojë edhe për transportin e fëmijëve të vendosur në fshatra përreth për të ndjekur mësimin në shkollat qytetit me të vetmin qëllim që këta fëmijë të kalojnë sa më lehtë traumat e përjetuara.

Në atë kohë kjo Shoqatë u bë si një Shtab furnizimi dhe sistemimi i të dëbuarve. Shtabi i atëhershëm që menaxhonte këtë punë ishte në kontakt direkt me shoqatën tonë dhe dërgonte listat se ku duhej të dërgohej ndihma dhe cdo gjë kryhej me përpikshmëri dhe plot vullnet.

Në atë kohë SH.H “Drita” kishte bashkëpunim edhe me deget e saja në rajon Kosovë dhe Shqipëri si SH.H “Drita”-Prishtinë dhe SH.H. “Drita”-Tiranë, te cilat I furnizonte me ndihma.

Aktivitetet e kësaj shoqate nuk përfundojnë me kaq, kjo shoqatë bëhet si një institucion në vete ku me mjetet e saj u ndihmonte edhe shkollave fillore të këtij qyteti si SH.F. “Said Najdeni” për nxënësit kosovar me ushqim, mjete mësimore (libra, fletore, lapsa etj), mjete higjenike për rreth 268 nxënës. Të njëjtën ndihmë e ka pranuar edhe SH.F. “Vëllazërim Bashkim” me mjete higjenike, pasi ky institucion dërgoi kërkesë.

Aktiviteti i kësaj shoqate nuk ishte vetëm se në aksionet humanitare por gjithashtu ajo u ndihmonte edhe shoqatave të ndryshme që stimulonin dhe edukonin rininë dibrane me aktivitete të ndryshme kulturore artistike siç është rasti me SH.K.A “Haki Stërmilli” së cilës i ndihmonte për shpenzimet e udhës, që ky grup të mundë të përfaqësoj Dibrën dhe dibranët në vende dhe shtete të ndryshme.

Shoqata “Drita” duke parë nevojën e rinisë dibrane për të mësuar, kjo shoqatë mundësonte kurse një mujore të gjuhës angleze dhe kompjuterave nga një staf profesional nga të cilët pjesëmarësit mernin çertifikata.

Si aktivitet tjetër i kësaj shoqate ishte edhe organizimi i koncerteve me rastin e festave të Bajramit, që nga viti 2000 e deri më 2007. Ky koncert u bë një traditë për qytetin tonë që vazhdohet sot nga të rinjtë dibran.

Që nga viti 2002 cdo vit në festën e Kurban Bajramit është mundësuar në bashkëpunim me disa shoqata të tjera dhe mërgimtarëve tanë, prerja e disa kurbanëve dhe shpërndarja e tyre tek familjet e varfëra.

Përkrahja e Shoqatës Humanitare “Drita” për cdo aktivtitet humanitar në qytet nuk ka munguar, ajo që nga vitit 2005 i ka përkrahur një grup të rinjsh dibranë në një aksion që bëhet cdo vit në prag të muajit të Ramazanit për familjet e varfëra, me të gjithë mundësitë që ka pasur kjo shoqatë.

Kjo shoqatë sot e kësaj dite vazhdon aktivitetin e saj. Ajo është e hapur për cdo lloj bashkëpunimi që është në të mirën e qytetarëve dibran dhe shërimin e plagës më të rëndë të një shoqërie që është plaga e varfërisë.